Pas ndeshjeve të Kombëtareve, këtë të premte rikthehet Superliga me xhiron e 15-të.
Ndeshja mes Malishevës e Ballkanit e hap këtë javë. Suharekasit janë në një seri prej katër fitoreve radhazi, karshi një barazimi në pesë sfidat e fundit.
Kurse, malishevasit morën fitore xhiron e fundit.
Në sfidën e parë të zhvilluar mes njëra tjetrës, fitore mori Ballkani me rezultatin 3:2.
Në tabelë, Ballkani është bindshëm lider me 32 pikë, shtatë më shumë se përcjellësi më i afërt, por kanë edhe dy ndeshje më pak të luajtura.
Malisheva është e katërta me 20 pikë.
Të shtunën na presin dy ndeshje, e të dielën dy të tjera.
Ekipi i tetë dhe i dhjetë i tabelës takohen mes vete.
Feronikeli 74 e pret Lirinë. Tri humbje e dy barazime për Niklin në pesë sfidat e fundit, derisa për prizrenasit dy humbje e tri barazime.
Dallimi është tre pikë, më mirë qëndron ekipi nga Drenasi me 12 pikë.
Të shtunën, Fushë Kosova e pret Dukagjinin. Vetëm një fitore ka Fushë Kosova në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa klinasit dy fitore.
Dukagjini është i gjashti me 17 pikë, derisa Fushë Kosova e parafundit me 10.
Ndeshjet më interesante janë të rezervuara për të dielën.
Kryendeshja luhet në kryeqytet, Prishtina e pret Dritën.
Të kaltrit nga Gjilani vazhdojnë të jenë të dytit në tabelë, por për shkak të rezultateve negative kanë ngecur karshi liderit.
Formë e dobët edhe për kryeqytetasit me vetëm një fitore në pesë xhirot e fundit, janë të pestit me 18 pikë, shtatë më pak se kundërshtari.
Drita e kishte demoluar në ndeshjen e parë Prishtinën 3:0.
Gjilani-Llapi, sfida e fundit e xhiros së 10-të. Të kuqtë nga Gjilani e shohin veten të shtatit në tabelë, dy pikë larg zonës së barazhit.
Në anën tjetër, Llapi është në garë për vendin e dytë, momentalisht është i treti me pikë të barabarta me atë të dytin.