Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV), duke iu referuar raportit të fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Raportin e Komisionit Evropian, të datës 04.11.2025, njofton se në shtetin e Hungarisë është e pranishme sëmundja Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), serotip me patogjenitet të lartë HPAI–H5N1, në fermat komerciale dhe në shpezët e egra në njësitë administrative Jasz, Nagykun dhe Szolnok të shtetit të Hungarisë.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se AUV-i ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla dhe të produkteve të tyre që kanë origjinën nga zonat e infektuara të shtetit të Hungarisë.
“Në përputhje me dispozitat përkatëse të legjislacionit në fuqi dhe në zbatim të masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, shpezëve si dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV vendos si vijon: Ndalohet importi i shpezëve të gjalla dhe i produkteve të tyre që kanë origjinën nga zonat e infektuara të shtetit të Hungarisë, përveç nëse ato kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden në një rreze prej 50 km larg zonave të prekura”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV).
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdon ta monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/






